Për të gjithë kandidatët që pretendojnë të bëhen shoferë, nga 18 shkurti testi teorik ka pësuar një ndryshim. Dikur në pyetjet e krijuara kishte më shumë se një përgjigje, ndërkaq tani është vetëm një përgjigje e saktë.
Ndryshimi në testin me shkrim për kandidatët që aplikojnë për patentë shoferë, e ka lehtësuar këtë proces.
Nga 18 shkurti, kur ky ndryshim hyri në fuqi, kandidatët që i nënshtrohen testit me shkrim për patentë shoferë, në përgjigje duhet të zgjedhin vetëm një opsion që është i saktë, e jo dy e më tepër siç ka qenë.
Por procesi duket se nuk është lehtësuar vetëm për kandidatët, por edhe për ligjëruesit e tyre.
“Që nga i 18 ti i muajit shkurt kanë filluar testet me nga një përgjigje të saktë. Të gjitha kandidatët që janë duke hyrë janë shumë më të kënaqur, sepse testi i përparmë ka qenë koxha i vështirë në krahasim me këtë test, edhe është rrit më duket përqindja e kalueshmërisë, edhe kandidatët janë më të kënaqur me këtë sistem të ri të pyetjeve. Shumë më i lehtë, shumë me i kuptueshëm. Ligjërimi është i njëjtë, me temat e njëjta por kandidatët po e dijnë që vetëm 1 nga tri opsionet është i saktë, apo shenjat e saktë e pasaktë”, tha Selim Shala, ligjërues.
Edhe Flakron Iberdemaj, pronar i Autoshkollës, tha se testi i ri është shumë më i lehtë për kandidatë, tri përgjigje është vetëm 1 e saktë. “Tani edhe ligjëruesit e kanë shumë më të lehtë me ua shpjegu kandidatëve pjesën teorike”, tha ai.
Nga Ministria e Infrastrukturës kanë bërë të ditur se kalueshmëria në testin teorik për patentë shoferë, me ndryshimet e reja, është ngritur për 10-15%, në vetëm dy.
“Edhe pse është ende herët që të kemi një krahasim të kalueshmërisë, sipas sistemit kalueshmëria është ngritur diku për 10-15%, e cila varet edhe nga Njësia rajonale se ku janë testuar kandidatët", thonë nga Ministria.
Sipas Ministrisë, testimi ka ruajtur standardet e nevojshme për të siguruar që shoferët e rinj të janë të aftë dhe të ndërgjegjshëm për sigurinë rrugore.
Sipas të dhënave, kandidatët që kanë kaluar provimin për vitin 2024, janë 38.952 nga provimi teorik dhe 37.952 nga provimi praktik (për të gjitha kategoritë), kurse për periudhën 1 janar 2025 e deri më 15 shkurt 2025 janë 4884 nga provimi teorik dhe 5270 nga provimi praktik (për të gjitha kategoritë)”.