Idrizi: Vushtrria me qendër të qenve endacak – Investimi në rini, mundësi për ndalje të migrimit

Kosova

Idrizi: Vushtrria me qendër të qenve endacak – Investimi në rini, mundësi për ndalje të migrimit

Më: 22 shkurt 2025 Në ora: 09:02
Ferit Idrizi

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë për eo se këtë vit do të përfundojnë të gjitha projektet e prezantuara në fushatë zgjedhore. Ndonëse ka mbetur edhe një vit deri në përfundim të mandatit, Idrizi shpreh bindje në përmbushje të zotimeve.

I pari i Vushtrrisë ka thënë se aktualisht janë në përfundim e sipër projekti i sheshit të qytetit dhe projektet tjera infrastrukturore. Ai përmend edhe projektin për ndërtimin e shkollës Fillore “Mustafë Venhari”, ndërsa thekson nevojën e mbështetjes së rinisë si mundësi të vetme për ta ndalur migrimin.

Teksa ka folur për projektet që pritet të përfundojnë këtë vit, Idrizi ka thënë se fshatrat e Qyqavicës do të furnizohen me ujë të pijshëm.

“Në komunën e Vushtrrisë janë duke u realizuar projektet, nuk jemi ndalë fare sepse shumica e projekteve kanë qenë projekte dyvjeçare, kështu që jemi në vitin e fundit të realizimit të projekteve dhe ky vit do të shënojë finalizimin e të gjitha projekteve të premtuara nga ana ime si kryetar. Aktualisht është duke u punuar në shesh. Këtë vit do të përfundojë sheshi bashkë me parkingun nëntokësor, me amfiteatër verore dhe të gjitha pjesët tjera e dyqane. Është duke u punuar edhe në tregun e qytetit që do të përfundoj sivjet, po ashtu do të përfundojë edhe shkolla ‘Mustafë Venhari’ që është një shkollë model, mandej kemi infrastrukturën rrugore. Do të përfundojë edhe rruga ‘Lumni  Surdulli’, rruga ‘Bekim Berisha’, do të përfundojë edhe furnizimi me ujë i fshatrave të pjesës lindore edhe i fshatrave të Artakollit të Qyqavicës, do të përfundojë edhe rruga ‘Drenica’ e cila veçse është asfaltuar dhe tash janë në fazën ku janë duke u rregulluar edhe trotuaret e shtegu i biçikletave”, u shpreh Idrizi, teksa shtoi se këtë vit do të futen nën menaxhim edhe qentë endacak të cilën e sheh si problem madhor për qytetarët. 

Idrizi ka thënë se punë të madhe po bëjnë edhe në mbështetjen ndaj të rinjve, pasi në buxhetin e këtij viti kanë rritur subvencionet për këtë kategori.

“Pa dashur t’i zmadhojë shumë, mendoj se jemi komuna e vetme që kemi investuar shumë në rini dhe ky ka qenë objektivi kryesor i imi edhe në programin tim ka qenë, sepse shpesh herë kur më kanë pyetur për projekte, kam dashur ta definojë si projekt investimin tek të rinjtë dhe të rejat. Pra ka qenë target i imi dhe i kemi ulur pak investimet kapitale. Me planifikimin e buxhetit për vitin 2025 i kemi rritë shumë subvencionet pikërisht për t’i mbështetur të rinjtë dhe të reja në shumë fusha”, u shpreh Idrizi, teksa përmend bashkëpunimin që ka me kompani të ndryshme në fushën e programimit dhe të mësimit të gjuhëve të huaja. Investimin në rini, Idrizi e sheh si mundësi për ndalje të migrimit.

E kemi edhe arsimin për të rritur që subvencionojmë 11 profile profesionale për arsimin për të rritur në qendrën gjermane të trajnimeve, tash jemi duke bashkëpunuar jashtëzakonisht mirë me ‘SPEEX Education’, do të bashkëpunojmë edhe me dy shkolla që ofrojnë kurse të programimit në Vushtrri të grupmoshave të reja të nxënësve dhe nuk do të ndalemi sepse unë besoj fuqishëm se nëse investojmë në rini, rininë do ta ndalim në Kosovë. Vetëm investimi në rini, i ndal të rinjtë dhe të rejat në Kosovë”, deklaroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat