Pavarësisht sfidave nga teknologjia dhe rrjetet sociale, leximi mbetet një aktivitet i rëndësishëm për shumë të rinj në Kosovë. Autorët e njohur ndërkombëtarë dhe librat që bëhen viralë në rrjete sociale shpesh zgjojnë interes te të rinjtë. Librat që zgjojnë një interesim te të rinjtë në Kosovë janë ato që kanë të bëjnë me zhvillimin personal, që lidhen me fushën e psikologjisë, por janë edhe librat nga letërsia bashkëkohore, si dhe veprat nga autorët klasik.
Nga libraria “Dukagjini”, Latif Mustafa, thotë për KosovaPress, se te të rinjtë dominon kryesisht zhanri i romancës, duke mos anashkaluar edhe llojet e tjerë të librave të cilët kanë të bëjnë me orientimin e të rinjve drejt biznesit, siç është libri Investitori.
Mustafa thotë se kohëve të fundit është vërejtur edhe interesim i të rinjve për të lexuar autorë të mesjetës, të cilët flasin se si të gjejnë qetësi në jetë siç është libri “Meditime”, nga Marcus Aurelius.
Mustafa: Te të rinjtë dominon zhanri i romancës
“Sa i përket të rinjve, nëse i klasifikojmë të rinj njerëzit prej moshës 14 deri në 28/30 vjeç, dominon zhanri i romancës, krim dhe mister, pa e mohuar këtu edhe zhanrin e klasicizmit… Investitori është një libër tjetër që të rinjtë, shohim se kemi njëfarë orientimi te të rinjve drejt biznesit, d. m .th themelimit të krijimit të krijimit të biznesit, krimit të networkit. Libri i tretë është Meditimi i Markus Aurelit, të rinjtë kanë shkuar atje në mesjetë, për t’i lexuar disa filozof romak, të cilët kanë folur për mënyrë se si të gjejë qetësi në jetë. Ndër librat më të shitur është po ashtu Ferma e Kafshëve e Georg Orvellit”, thotë Mustafa.
Artin Ahmeti nga libraria “Artini-Toena”, thotë për KosovaPress, se vërehet interesimi i të rinjve për të lexuar. Ai thotë se të rinjtë pëlqejnë të lexojnë libra psikologjik, në zhanrin e zhvillimit personal.
Ahmeti potencon se trendi se çfarë lexohet më shumë në botë vazhdon edhe në Kosovë, siç janë romanet të cilat përkthehen shpejt në shqip dhe ofrohen te lexuesi. Ai thotë se shenjë pozitive është që fëmijët tani lexojnë më shumë dhe i njohin autorët dhe serinë e librave.
Ahmeti: Të rinjtë lexojnë libra për zhvillimin personal
“Varësisht prej shijes nuk është që ka diçka të caktuar, varësisht prej zhanri që dëshiron me lexu p.sh ka shumë prej tyre që lexojnë në zhanrin e zhvillimit personal psikologji. Është punë e interesit se çka dëshiron më shumë për të lexuar. Prej romaneve janë këto përkthimet bashkohore, trendi shkon se çka po lexohet më shumë në botë, ato përkthen shpejt në shqip dhe ato lexohen tek lexuesi shqiptarë. Shenjat pozitive janë që fëmijët lexojnë më shumë, përpara nuk është që kanë lexu shumë, këto vitet e fundit ka pas një rritje të leximit te fëmijët, kjo është një shenjë pozitive, shihet që i njohin autorët i përcjellin serinë e librave, kjo është diçka që na gëzon”, tha ai.
Ndërsa nga biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Fatime Mehmetaj, thotë për KosovaPress, se të rinjtë lexojnë letërsinë botërore, duke veçuar autorët si Khaled Hosseini, Orhan Pamuk. Sylejmani vëren se viteve të fundit librat psikologjik lexohen shumë nga rinjtë sepse i gjejnë pyetjet e ndryshme që kanë të bëjnë me veten e tyre.
Mehmetaj: Të rinjtë lexojnë libra nga psikologjia sepse gjejnë pikëpyetje të ndryshme
“Kryesisht të rinjtë është e preferuar letërsia e huaj, letërsia botërore, ku janë klasikët që ende lexohen me ëndje. Ka edhe autorë të rinj kohëve të fundit si Colleen Hoover, mandej Gjeutari i balonave, nga Khaled Hosseini, Orhan Pamuk. Viteve të fundit është shumë aktuale libra nga psikologjia, të rinjtë i kërkojnë shumë ato libra sepse i gjejnë pikëpyetjet e ndryshme që i kanë në vetvete dhe mund të konsultohen me literaturën tonë”, thotë Mehmetaj.
Një pjesë e të rinjve vazhdojnë të lexojnë libra të fushave të ndryshme. Ndër zhanret më të pëlqyer për të rinjtë mbetën librat psikologjikë për zhvillim personal, romanet, si dhe zhanri i klasicizmit.