Komuna e Vitisë me projekt të ri për përmirësimin e furnizimit me ujë

Kosova

Komuna e Vitisë me projekt të ri për përmirësimin e furnizimit me ujë

Më: 4 mars 2025 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Komuna e Vitisë njofton se përmes projektit “Flows” pritet të investoj miliona euro në ujësjellësin nga fabrika e Letnicës.

Në njoftim thuhet se pas një angazhimi të gjatë për të përmirësuar infrastrukturën e ujësjellësit, komuna është bërë përfituese e një projekti të rëndësishëm që do të sjellë investime të shumta në fabrikën e ujit në Letnicë.

Ky projekt, i cili përfshin ndërtimin dhe rinovimin e disa impianteve dhe sistemeve kyçe të ujësjellësit, pritet të përfshijë investime të rëndësishme në ndërtimin e fabrikës së ujit, rezervuarin afër burimit të ujit, si dhe një rezervuar të veçantë për trajtimin e turbullirave dhe grumbullimin e mbetjeve.

“Kjo do të kontribuojë në sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm dhe cilësor të ujit për qytetarët e Vitisë, duke përmirësuar kushte për përdorim të sigurt dhe efikas të ujit për konsum dhe aktivitete të tjera”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Programit FLOWS, një iniciativë financuar nga një kredi e Asociacionit për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) të Bankës Botërore. Projekti po zbatohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) e Republikës së Kosovës, e cila ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimin e kushteve të jetesës nëpërmjet modernizimit të infrastrukturës dhe menaxhimit efikas të burimeve natyrore.

Ndërsa, vlera totale e këtij projekti është mbi 6.5 milionë euro, dhe aktualisht është në fazën e fundit të planifikimit dhe përgatitjes për prokurim publik.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat