​Shënohet për herë të parë në Kosovë Dita Ndërkombëtare e Inxhinierëve

Kosova

​Shënohet për herë të parë në Kosovë Dita Ndërkombëtare e Inxhinierëve

Më: 4 mars 2025 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

Për herë të parë pas themelimit të Odës së Inxhinierëve të Republikës ës Kosovës, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Inxhinierëve. Me këtë rast u theksua rëndësia e rolit të inxhinierëve në adresimin e krizave globale. Përveç kësaj, u tha se kjo ditë është një mundësi e shkëlqyer për të kujtuar dhe nderuar kontributin e inxhinierëve në Kosovë dhe mbarë botën.

Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, Arsim Rapuca tha se Dita Ndërkombëtare të Inxhinierisë shënon një hap të rëndësishëm përpara në fuqizimin dhe organizimin e këtij profesioni në nivel institucional.

Ai potencoi se sot më shumë se kurrë është e nevojshme që inxhinierët të bashkëpunojnë dhe të udhëhiqen nga vlerat e përbashkëta si profesionalizmi, etika dhe përgjegjësia sociale.

"Kjo ditë shënon jo vetëm një moment reflektimi mbi kontributin e jashtëzakonshëm që inxhinierët japin në shoqërinë tonë, por edhe një hap i rëndësishëm përpara në fuqizimin dhe organizimin e profesionit tonë në nivel institucional...Sot më shumë se kurrë është e nevojshme që inxhinierët të bashkëpunojnë dhe të udhëhiqen nga vlerat e përbashkëta si profesionalizmi, etika si dhe përgjegjësia sociale. Dita e sotme është një mundësi e shkëlqyer për t'i kujtuar dhe nderuar kontributin e inxhinierëve në shtetin tonë dhe në mbarë botën... Por, gjithashtu është një mundësi për të shprehur angazhimin tonë për të ngritur më tej standardet profesionale të inxhinierisë në Republikën e Kosovës", tha Rapuca.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Florim Grajçevci tha se inxhinierët luajnë një rol kyç në adresimin e krizave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, menaxhimin e resurseve natyrore dhe zhvillimin e teknologjive.

"Sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për mendje krijuese, inovative dhe të përkushtuara për t'i përballuar sfidat e së ardhmes. Inxhinierët luajnë një rol kyç në adresimin e krizave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, menaxhimin e resurseve natyrore dhe zhvillimin e teknologjive të reja që përmirëson cilësinë e jetës për të gjithë. Le të shfrytëzojmë këtë ditë për të reflektuar mbi sukseset tona, për të vlerësuar punën e jashtëzakonshme të gjithë inxhinierëve", u shpreh Grajçevci.

Ndërkaq, në një fjalë rasti në organizimin e mbajtur nga Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës nga Kolegji UBT, Visar Krelani tha se janë të gatshëm për të dhënë kontribut në ngritjen e zërit për të drejtat e inxhinierëve.

Ai tha se detyrë e rëndësishme për të dyja fakultetet e këtij drejtimi mbetet motivimi i të rinjve për të zgjedhur këtë profesion, siç e quajti ai fisnik.

"Sa i përket ditës së inxhinierëve është shumë me rëndësi. Ne sot i kemi filluar herët këtë ditë të rëndësishme. Dua të theksoj odës i urojmë suksese në këtë punë kaq të ndijshme. Presim që të ngritë zërin për çështjen e inxhinierit që është një çështje që jo çdo herë është trajtuar me respekt në Kosovën tonë të pasluftës. Po ashtu, presim që kontributi të jetë jo vetëm nga pjesa e anëtarëve të odës, por ne jemi në dispozicion po ashtu si fakultet me gjithë stafin tonë, me të gjithë partneritete tona ndërkombëtare, që të japim kontributin për ngritjen e kësaj çështje. Por, mbi të gjitha detyrë e rëndësishme na mbetet të gjitha palëve si fakultetit të Inxhinierisë të Ndërtimit në UP, si fakulteti i Inxhinierisë të Ndërtimit në UBT dhe të gjithë kolegëve që t’i motivojmë të rinjtë. Kyçja e të rinjve në këtë profesion fisnik siç shihet në përgjithësi është çështje shumë e ndijshme", theksoi Krelani.

Kryetari i Odës së Arkitektëve të Replikës së Kosovës, Uran Kyçyku tha se Dita Ndërkombëtare e Inxhinierëve shërben për të vlerësuar lartë arritjet e inxhinierëve në mbarë botën.

"Kjo është një ditë historike pasi shënohet për herë të parë, pas themelimit të odës së inxhinierëve të Republikës së Kosovës. Jemi mbledhur sot për të festuar solemnitetin e një dite të veçantë për profesionin e një inxhinieri, Ditën Botërore të Inxhinierëve. Kjo ditë shërben për të vlerësuar lartë arritjet e inxhinierëve në mbarë botën", tha Kyçyku.

Dita Ndërkombëtare e Inxhinierëve e mbajtur më 4 mars ka për qëllim të tregojë se inxhinierët janë të rëndësishëm për krijimin e zgjidhjeve për shumë prej problemeve globale që përballon bota, si ato që lidhen me ndryshimet klimatike, energjinë e rinovueshme, infrastrukturën dhe teknologjinë

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat