​UNMIK-u shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Kosovë

Kosova

​UNMIK-u shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Kosovë

Më: 5 mars 2025 Në ora: 15:07
​UNMIK-u shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Kosovë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) organizoi aktivitete për të shënuar 25 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Duke ndjekur temën globale të këtij viti, “Për të gjitha gratë dhe vajzat: të drejta, barazi, fuqizim”, u zhvilluan aktivitete të ndryshme duke filluar me lojën Ragbi, ku morën pjesë shumë ekipe, për të vazhduar pastaj me mbjelljen e pemëve.

Aty morën pjesë shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh dhe ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Aktivitetet u fokusuan në nxitjen e iniciativave që u japin grave dhe vajzave mundësi të barabarta dhe të drejtën për të qenë pjesë aktive e ndryshimeve shoqërore.

Shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, tha se është një ditë shumë e veçantë sepse ky vit sipas saj lidhet me përvjetorin e 25-të të adoptimit të thirrjes së vendimit të Këshillit së Sigurisë. Ziadeh theksoi rëndësinë e këtij vendimi që është i bazuar në mbrojtjen e grave dhe vajzave që të sigurohet pjesëmarrja e barabartë dhe kuptimplotë në të gjitha hapësirat publike.

Ziadeh: Thirrja e këtij vendimi është i bazuar në mbrojtjen e grave dhe vajzave

“Ne po festojmë sot një ditë të grave shumë të veçantë, sepse ky vit lidhet me përvjetorin e 25-të të adoptimit e thirrjes së vendimit të Këshillit së Sigurisë, 1325. Thirrja e këtij vendimi është i bazuar në mbrojtjen e grave dhe vajzave që të sigurohet pjesëmarrja e barabartë dhe kuptimplotë në hapësira publike dhe jam shumë e nderuar që të kem këtu figurën udhëheqëse, Atifete Jahjaga, ish presidentja. Jashtë kemi dëgjuar se është një shembull frymëzues për të gjithë, ajo është një shembull frymëzues për dedikimin e saj për përparimin e agjendës të grave në paqe dhe sigurinë dhe fuqizimin ekonomik dhe ajo është çfarë ne bëjmë në KB”, tha ajo.

Pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishte edhe ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila për KosovaPress tha se megjithëse kanë avancuar sa i përket të drejtave të vajzave dhe grave prapë ka shumë hapësirë pwr pwrmirwsime.

Jahjaga: Kemi ligje të avancuara por nuk jemi aq mirë në implementimin e tyre

“Kosova dhe vendet e rajonit jemi një shoqëri patriarkale, kemi ecur përpara por ka shumë hapësirë që të përmirësohemi sidomos në fuqizimin e rolit të vajzave dhe grave në shoqërinë tonë, kemi ligje të avancuara por nuk jemi aq mirë në implementimin e tyre. Kemi përfaqësim të konsiderueshëm edhe në nivelin e institucioneve qendrore të institucioneve lokale. Këtë kuotën që e kemi parashikuar me ligj ne duhet ta bëjmë si një normë të përditshme në shoqërinë kosovare”, potencoi Jahjaga.

Ndërsa Visare Berisha, partnerja implementuese e UNMIK-ut në Kosovë tha se këto aktivitete planifikojnë që ti bëjnë edhe vitet e ardhshme. Berisha tha se i kemi kampionët gjinorë, që gjatë vitit të kaluar kanë demonstruar mbështetje të madhe në arritjet e barazisë gjinore.

Berisha: Këto aktivitete planifikojmë t’i vazhdojmë edhe në vitet tjera

“Ky është viti i dytë që e shënojmë ditën ndërkombëtare të grave në këtë mënyrë dhe planifikojmë të vazhdojmë edhe në vitet tjera. I kemi genders champions apo kampionët gjinorë, gjatë vitit që e lamë pas kanë demonstruar mbështetje të madhe në arritjen e barazisë gjinore, kontribut në zhvillimin e barazisë”, tha ajo.

Përmes këtij organizimi, UNMIK ripërsëriti përkushtimin e tij për të mbështetur fuqizimin e grave dhe vajzave në Kosovë, duke inkurajuar për një të ardhme ku të drejtat dhe mundësitë janë të barabarta për të gjithë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat