Universiteti i Prishtinës në top 10-she nga 1 mijë e 362 universitete garuese në konkursin ndërkombëtar të Arkitekturës

Kosova

Universiteti i Prishtinës në top 10-she nga 1 mijë e 362 universitete garuese në konkursin ndërkombëtar të Arkitekturës

Më: 8 mars 2025 Në ora: 18:22

Universiteti i Prishtinës është renditur në top dhjetëshen e konkursit ndërkombëtar studentor në fushën e arkitekturës dhe dizajnit ‘Inspireli Awards 2024’ mes 1,362 universiteteve nga e gjithë bota.

Fakulteti i Arkitekturës në UP me krenari ka njoftuar se UP është renditur në vendin e 10-të në renditjen e përgjithshme universitare të edicionit të 9-të të ‘Inspireli Awards 2024’.

Sipas Fakultetit të Arkitekturës, ky sukses është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të studentëve të tyre në konkurset ndërkombëtare të integruara në kurrikulat akademike të Fakultetit.

“Ky vlerësim i lartë vjen pas renditjes së Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës në Top 10, falë vendit të parë të arritur nga projekti “Sustainable Village – ECOUNITY”, i realizuar nga studentët: Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mbikëqyrjen e Prof. Asst. Rozafa Basha, në kuadër të lëndës Projektim – Banim” – njofton Fakulteti i Arkitekturës në UP, më 07.03.2025.

Këtë sukses, Fakulteti i Arkitekturës e ka shënuar me një moment të veçantë duke zhvilluar një ceremoni të dorëzimit zyrtar të certifikatës së renditjes për UP-në nga fituesi i mëparshëm i ‘Inspireli Awards’ dhe tashmë anëtar i jurisë, Lendrit Krasniqi, së bashku me konkurrentin e sivjetshëm, studentin e nivelit master Florian Shala.

Ceremonia u zhvillua në prani të Dekanes së Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Violeta Nushi. Ky rezultat është një dëshmi e qartë e përkushtimit të studentëve tanë, punës së palodhur të stafit akademik dhe mbështetjes së komunitetit universitar. Urime të gjithëve për këtë arritje të jashtëzakonshme!” – ka shtuar Fakulteti.

Fakulteti i Arkitekturës në UP ka ndarë edhe linkun ku mund të lexohet më në detaje për projektin fitues të studentëve të tyre, të cilin mund ta gjeni KËTU.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat