Ndonëse ende nuk janë bërë 4 vjet nga formimi i Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, numri i mostrave të pranuara që iu janë nënshtruar analizave mikrobiologjikenë në vitin 2024 arrin në 40 mijë, apo afro 30 mijë më shumë se në vitin 2021. Derisa prioritet për Mikrobiogjinë Klinike është fuqizimi i Diagnostikës Molekulare,për të avancuar shërbimet në dobi të klinikave dhe pacientëve.
Mikrobiologjia Klinike pranon çdo ditë mostra nga pacientët e hospitalizuar në të gjitha klinikat e QKUK-së.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK, Greta Lila Azizi në një intervistë për KosovaPress thotë se që nga themelimi i kësaj njësie, vit pas viti që nga 2021-ta, është rritur dukshëm numri i mostrave të pranuara për analizë.
Ajo potencon se punën si shërbim i ri në QKUK e nisën me tre mikrobiologë dhe teknikë laborantë, porse me zgjerimin e gamës së shërbimeve ndër vite, është më se dyfishuar numri i stafit.
Lila Azizi: Në vitin 2024 janë pranuar rreth 40 mijë mostra për analizë nga klinikat
“Fillimisht kemi qenë vetëm tri mikrobiologe dhe tre teknikë laborantë. Ndërsa, sot jemi 6 mikrobiologe dhe 11 teknikë laborantë ku e realizojmë një punë ekipore të të gjitha atyre që kërkohen nga ne si mikrobiolog... Gjatë vitit 2021 numri i mostrave ka qenë më i ulët, ishte pandemia. Ka qenë një numër më i reduktuar i mostrave. Por, ndër vite numri i mostrave që janë pranuar këtu është rritur. Përgjatë vitit 2021 kanë qenë diku rreth 11 mijë mostra. Pastaj, kjo kronologjikisht ka shkuar duke u rritur vit për vit. Dhe tash së fundi në vitin 2024 kemi arritur deri në 40 mijë mostra që janë pranuar në Shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike, në laborator. Janë mostra që iu janë nënshtruar analizës mikrobiologjike me metodat konvencionale, mikroskopisë, dhe ato serologjike, por edhe me metoda molekulare", potencon Lila Azizi.
Specialistja e mikrobiologjisë, Greta Lila Azizi thotë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pritet të fuqizohet edhe Diagnostika Molekulare. Sipas saj ky shërbim do reduktojë dukshëm kohën e raportimit të rezultateve të analizave nga mostrat e marra, përcjell KosovaPress.
Lila Azizi: Do ta fuqizojmë Diagnostikën Molekulare, kjo në dobi të klinikave dhe pacientëve
"Do të ngrisim dhe fuqizojmë Diagnostikën Molekulare. Përveç asaj konvencionale dhe këtyre që i përmenda, mikrobiologjia klinike duhet ta ketë me patjetër edhe Diagnostiken Molekulare. Kjo për arsye se i avancon shërbimet dhe është në dobi të klinikave, të mostrave të pacientëve, për t’i punuar edhe me metodat molekulare PCR, realtime PCR e të tjera...Besoj që përgjatë vitit 2025, ky 6 mujorëshi i parë do të ketë risi, futje të shërbimeve të reja në Mikrobiologjinë Klinike...14:25 Diagnostika Molekulare ka për qëllim ato metodat PCR, realtime PCR, multipleks PCR kanë për qëllim detektimin e materialit gjenetik në mostër. Momentin që mostra sjellët në laborator aty mund të punohen dhe detektohen patogjenët e ndryshëm qoftë viral apo bakterial. Koha e raportimit të rezultatit shkurtohet shumë krahasuar me metodën konvencionale dhe kulturën", thekson Lila Azizi.
Për KosovaPress, mikrobiologia Greta Lila Azizi tregon se në shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK kryhet një gamë e gjerë e analizave mikrobiologjike.
Ajo shtoi se ekziston një laramani e madhe e mostrave që i nënshtrohen analizave mikrobiologjike.
Lila Azizi: Në shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK kryhet një gamë e gjerë e analizave mikrobiologjike
"Në shërbimin e Mikrobiologjisë Klinike në QKUK kryhet një gamë e gjerë e analizave mikrobiologjike. Çdo ditë pranohen mostra nga pacientët e spitalizuar në të gjitha klinikat e QKUK-së... Janë të ndryshme, duke filluar nga kulturat e gjakut, kultura longocerebrospinal, pastaj strishot e ndryshme nga lëkura dhe mukoza, strisho e fytit, hundës, veshit, aspiratet, bronko aspiratet, punktatet e ndryshme. Ekziston një laramani e madhe e mostrave që i nënshtrohen analizave mikrobiologjike. Urina, mostra e fecesit, koprokultura, është një numër i konsiderueshëm i analizave që punohen", tregon Lila Azizi.
Ndër të tjera, Lila Azizi potencon se themelimi i Shërbimit të Mikrobiologjisë Klinike nuk ka qenë i lehtë. Sipas saj, ky rrugëtim ka qenë sfidues, porse thotë se puna ekipore dhe konsolidimi i buxhetit të reagjentëve që nevojiten për testim të mostrave ka bërë që procesi i punës të stabilizohet.
Shërbimi i Mikrobiologjisë Klinike në QKUK është formuar me datë 18 mars 2021, pasi që ministri i Shëndetësisë, kishtemiratuar popozim Vendimin për ndryshimet në Statutin e QKUK-së, paspranimit të kërkesës nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së, me datë 8 shkurt 2021.