Pjesë të maleve në Neredimë të Epërme të Ferizajt u kapluan nga zjarri gjatë ditës së djeshme dhe sidomos gjatë natës. Zjarrfikësit konfirmuan se kishte pasur disa incidente zjarri, me një përmase më të madhe në malet e Neredimës.
Zymri Krasniqi, Komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Ferizaj, deklaroi se gjatë tri ditëve të fundit dhe sidomos gjatë vikendit, pati disa zjarre fushore dhe malore.
“Mbrëmë, falë angazhimit të zjarrfikësve, diku në orët e vona të natës, zjarri u lokalizua dhe sot ishim në vendin e ngjarjes ku zjarri është shuar tërësisht,” tha Krasniqi.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Ferizaj, Alberton Sahiti, apeloi për mos ndezjen e zjarreve, sidomos në fusha e male.
“Apelojmë që të mos bëhet ndezja e zjarrit sepse është lehtë të ndizet por pastaj shumë problem te menaxhohet ose fiket ai zjarr. jemi duke bërë përpjekje rë vazhdueshme që te sensibilizojmë opinionin që të kemi sa më pak ndezje të zjarrit për shkak të natyrës se njeriut. Po jemi çdo ditë në takime dhe organizime te ndryshme më lokalitet të fshatrave që ti sensibilizojmë qytetarët që te mos ndezin zjarre në vend dhe pavend se po na shkaktojnë probleme shumë të mëdha”, tha ai.
Dëmet më të mëdha nga këto zjarre i janë shkaktuar natyrës dhe ambientit.