Nxënës e student nga Shtimja vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri

Kosova

Nxënës e student nga Shtimja vizitojnë Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri

Më: 28 mars 2025 Në ora: 13:31
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se një grup nxënësish të shkollave të mesme dhe studentësh nga komunitetet e komunës së Shtimes kanë vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Sipas Policisë, kjo vizitë u mundësua nga Këshilltarja e Kryeministrit të Republikës së Kosovës për çështje të Komuniteteve dhe kishte për qëllim njohjen nga afër me rolin dhe rëndësinë e Akademisë në përgatitjen e profesionistëve të sigurisë publike.

“Pjesëmarrësit u pritën nga përfaqësuesit të Akademisë, të cilët i informuan mbi programet e trajnimit, pajisjet bashkëkohore dhe metodat moderne të mësimdhënies. Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të eksplorojnë ambientet e Akademisë dhe të njihen nga afër me sfidat dhe përgjegjësitë e forcave të sigurisë. Nxënësit dhe studentët u shoqëruan nga zyrtarë policorë të stacionit policor të Shtimes, të cilët ndanë përvojat e tyre profesionale dhe rëndësinë e angazhimit në këtë fushë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, vizita u vlerësua si një përvojë e vlefshme për të rinjtë, duke i motivuar për një angazhim të mundshëm në sektorin e sigurisë publike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat