Një përleshje mes dy nxënësve ka ndodhur në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në fshatin Gllamnik të komunës së Podujevës.
Madje aty një nxënës u sulmua me një mjet të mprehtë.
Kështu bëri të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 10:30 është raportuar për një fjalosje në mes të dy nxënësve në oborrin e shkollës fillore ‘Kongresi i Manastirit’ në fshatin Gllamnik të komunës së Podujevës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informatave të para dyshohet që njëri nga ta pas fjalosjes me një mjet të mprehtë e ka sulmuar tjetrin duke i shkaktuar lëndime trupore”, tha Borovci për KosovaPress.
Ndërkohë që viktimës i është i ofruar ndihmë mjekësore.
“Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore, përderisa të dyshuarin policia e ka shoqëruar për në stacionin policor dhe aktualisht në konformitet me dispozitat për trajtimin e të miturve po procedon më tej me rastin, për të ndriçuar rrethanat e ngjarjes”, tregon Borovci.