Një tjetër person është arrestuar në kuadër të operacionit që u zhvillua një ditë më parë në Elbasan, duke e çuar në 6 numrin e të arrestuarve.
Në kuadër të operacionit të koduar “Kështjella”, ku një ditë më parë u kap dhe u sekuestrua 4,215 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë, është arrestuar shtetasi G. H., 36 vjeç.
Sipas policisë, 36 vjeçari ishte personi që i siguronte dhe drogën grupit që u arrestua një ditë më parë.
Policia: Si rezultat i hetimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi G. H., 36 vjeç, banues në fshatin Hasmashaj, Peqin, pasi dyshohet se shtetasi G. B., i cili është arrestuar ditën e djeshme, e siguronte lëndën narkotike nga shtetasi G. H.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal“.
Një ditë më parë, në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 5 persona të tjerë. Siç raportoi Ora News bëhet fjalë për: Hazis Musai, Xhulio Musai, Danjel Xheliaj, Gëzim Balla dhe Endri Karaj.
Mësohet se pakot e drogës kishin mbërritur nga Turqia në Shqipëri përmes një furgoni, ndërsa kishin si destinacion final Greqinë.