Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë pranuar informacione sot pas orës 17:00 përmes Linjës së Kaltër (080003333) nga Policia e Kosovës për një zyrtar policor që ka përdorur armën e zjarrit.
Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin kanë dalë në vendngjarje ku kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore me njësit relevante për rastin në fjalë.
Në bazë të mandatit ligjor të IPK-së rasti do të trajtohet nga IPK në koordinim edhe me prokurorin kujdestar i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet nga hetimet paraprake deri më tani dyshohet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të dyshuari i cili ka qenë i ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës e që i njëjti ka ikur me ndihmën e një të dyshuari tjetër i cili ka qenë duke pritur me një automjet aty afër.
Gjatë përdorimit të armës së zjarrit është qëlluar shoferi i makinës cili më vonë ka shkaktuar aksident gjatë ikjes.
Personi i qëlluar me armë zjarri është dërguar nga policia për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë.
Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitë tjera relevante dhe institucionet përkatëse janë duke punuar drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti dhe rreth asaj se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare.
Zyrtari policor (i stacionit policor të Graçanicës) është dërguar në objektin e IPK-së për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit me dyshimin për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.