Policia e Kosovës në Gjakovë ka arrestuar tre persona të dyshuar për shkak se ju është gjetur 4 kilogram që dysohet të jetë marihuanë.
Arrestimi i këtyre personave është bërë sot rreth orës 12:45 nga policia hetuese e Njësisë së Gjakovës.
“Arrestimi është bërë në rrugën ‘Xhemail Mustafa’ në Fushë Kosovë, në ora 12:45, kur hetuesit policorë nga Njësia e Gjakovës e DHTN-së e mbështetur edhe nga Njësia e Prishtinës e DHTN-së, kanë ndërhyrë në bodrumin e një ndërtese duke zënë në flagrancë tre të dyshuarit duke bërë shkëmbimin e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se njëri nga këta persona të arrestuar është shtetas i Shqipërisë.
“Nga policia janë arrestuar tre të dyshuarit: E.K., viti i lindjes 1963, mashkull, shtetas i Shqipërisë, D.E., viti i lindjes 1998, mashkull kosovar dhe F.Sh., viti i lindjes 1982, mashkull kosovar”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, gjatë kontrollit në cilësi të provës materiale janë gjetur dhe konfiskuar: Njëzet e dy (22) paketime/qese najloni që dyshohet të jetë mariuhanë me peshë rreth 4537 gram (4 kg e 537 gram), Një veturë, Para (2365 euro) dhe Tre (3) telefona.
Në lidhje me këto veprime është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘blerja, posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, ndalohen në ndalim policor për 48 orë.