Kunati i 45 vjeçarit Josif Kavaja nga fshati Seltë i Elbasanit, në kërkim të të cilit është vënë policia prej pasdites së 24 dhjetorit, apelon policinë përmes Rtv Ora të bëjë kujdes me të sepse është me probleme psikike dhe ka nevojë për ndihmë mjekësore.
Ai thotë për gazetaren Edisona Skënderi se sapo të dalë nga aty ku është mbyllur do ta dorëzojnë vetë familjarët në polici, por të mos ushtrojnë më presion që mund të çojë në ndonjë veprim fatal për jetën e 45-vjeçarit.
“Jam kunati i tij, më dhemb shpirti për të. Është një person që jeton vetëm, në një fshat të thellë, punon dhe jeton me djersën e tij. Të gjithë fshatin po ta pyesësh do të thonë që nuk ngacmon njeri.
U prekëm shumë, ne e dimë gjendjen e tij, është me sëmundje psikike dhe tani e ka kapur më shumë, është në gjendje shumë të rënduar. Jemi angazhuar të gjithë si familje që ta kurojmë në spital por nuk na dëgjon. Gjendja e tij është e rënduar.Kemi biseduar si do ta shpëtojmë. Ai vërtet ishte rënduar por nuk ngacmonte askënd”.