Një 25 vjeçar është arrestuar pasi në makinën të cilën e braktisi u gjetën 27 kg kanabis. Arrestimi i K.K., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullojë, Lezhë, u bë nga shërbimet e Policisë Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë.
“Më datë 28.10.2020, në afërsi të një lokali në aksin rrugor Mikot-Lezhë nga sherbimet e Policisë Lezhë është bërë ndalimi i një mjeti me drejtues shtetasin K.K., i cili braktisi mjetin dhe u largua. Gjatë kontrollit të mjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 27 kg lëndë narkotike canabis sativa, si dhe arrestuan në flagrancë bashkëpunëtorët tij, shtetasi N.T .dhe Z.M” informon policia e Lezhës.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, nga sherbimet e Policisë Lezhë është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit Filip Shtjefni, banues në Lezhë,i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar me 2 vite burg ,për vepren penale “Heqje e paligjshme e lirisë”, pasi ky shtetas në vitin 2016 ,ka mbajtur pa dëshirën e saj shtetasen E.M.