Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit me inicialet A. Th.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri prej muajit qershor 2019 deri më datë 18 shtator 2020, në mënyrë të vazhdueshme në lokalin “Rojall” në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë të Komunës së Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, ka bërë organizimin e lojërave të cilat janë të ndaluara me ligj.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale.