Policia e Kosovës arreston 20 persona të dyshuar për kontrabandë me emigrantë

Kronikë e zezë

Policia e Kosovës arreston 20 persona të dyshuar për kontrabandë me emigrantë

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 18:41
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një aksioni të zhvilluar në orët e para të 5 qershorit, ka arrestuar 20 persona, të dyshuar për veprën penale “kontrabandë me emigrantë”.

Departamenti i Policisë kufitare tha se pas hetimeve disamujore, operacioni i koduar “Emigranti” u zhvillua në rajonin e Mitrovicës së Jugut dhe në atë të Prizrenit.

“Gjatë kontrollit janë arrestuar 20 të dyshuar, ku prej tyre 14 shtetas të Kosovës, ndërsa gjashtë me shtetësi nga vendet e lindjes (Iraku, Siria dhe Palestina), të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të lartshënuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Me vendim të prokurores së rastit nga Prokuroria Themelore e Krimeve të Rënda në Mitrovicë, 11 persona janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, ndërkaq nëntë të dyshuar janë liruar me procedurë të rregullt.

Sipas autoriteteve, gjatë këtij operacioni janë kontrolluar dhjetë lokacione dhe janë sekuestruar prova të ndryshme materiale, përfshirë automjete të ndryshme, fishekë dhe një sasi e mjeteve monetare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat