3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Kronikë e zezë

3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

Tahir Ahmetxhekaj është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë për dy vepra penale –  për vrasje në tentativë të Zhujë Ahmetxhekajt dhe për armëmbajtje pa leje.

Aktgjykimi është shpallur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kukaj Mekaj, e cila tha se për veprën e parë i akuzuari dënohet me tri vite burgim kurse për armëmbajtje pa leje me një mijë euro gjobë, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, gjyqtarja Mekaj, kishte marrë vendimin për konfiskimin e armës ku pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit do të shkatërrohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Tahir Ahmaxhekaj po akuzohet se me 21 nëntor 2020, rreth orës 15:30, në Isniq të Komunës e Deçanit, afër murit të shtëpisë së Muhamet Sherifit, ka tentuar ta privojë nga jeta personin tjetër, me qëllim të zmbrapsjes së sulmit të kundërligjshëm, real dhe të atëçastshëm ndaj personit tjetër, duke tejkaluar kështu kufijtë e mbrojtjes së domosdoshme.

Në aktin akuzues thuhet se derisa i akuzuari ishte duke i kthyer bagëtinë në shtëpi, me t’u afruar tek shtëpia e Ahmetxhekajve, përballë tyre vëren se këtu i dëmtuari Zhujë, së bashku me vëllain e tij Emrushin dhe djalin Dardanin, po përlesheshin me djalin e tij Valmirin, gjegjësisht të njëjtin e kishin shtrirë në tokë dhe po e goditnin me grushte e shqelma.

Në atë rast thuhet se i akuzuari e kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë në drejtim të tyre një here, me ç’rast qëllohet i dëmtuari Zhujë në pjesën e sipërme të kofshës së djathtë, e i cili plumb përshkon organet gjenitale dhe pjesën e brendshme të këmbës së majtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas thuhet se i njëjti e merr djalin e tij Valmirin dhe nisen në drejtim të shtëpisë së tij.

Për këto veprime, ai po akuzohet për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 e 12, paragrafi 2 të KPRK-së.

Kurse, dispozitivi i dytë i kësaj akuze të njëjtin e ngarkon me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi thuhet se ai ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë dhe municion: Pistoletë “Ceska Zbrojovka A S v Prave” të kalibrit 7.63mm, , një karikator të së njëjtës armë me tre fishekë të kalibrit 7.63 mm, të cilat pas plagosjes së të dëmtuarit Zhujë Ahmetxhekaj policia ia kishte gjetur dhe sekuestruar. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat