Policia e Kosovës ka realizuar dje një operacion policor meqë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar dhe janë konfiskuar 31 kilograë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Policia njofton se operacioni është ndërmarrë dje (17 gusht) në Komoran të Drenasit, pas pranimit të informacioneve dhe hetimeve të zhvilluara nga njësia rajonale e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik në Prishtinë, në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Në këtë operacion është konfiskuar vetura Passat me targa vendore pronë e të dyshuarit mashkull kosovar, në të cilën janë gjet dhe konfiskuar dy thasë të mbushur me 31 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Po ashtu, është konfiskuar edhe vetura ( me targa të Shqipërisë) e personit të dyshuar mashkull shtetas i Shqipërisë, dy telefona celularë, para: 1050 euro dhe 13500 lekë”, njofton policia.
Me urdhër të prokurorisë është realizuar edhe një bastisje në lokacionin e të dyshuarit mashkull kosovar të sipër cekur në rast dhe është sekuestruar edhe një veturë tjetër ( e tretë) në të cilën janë gjetur mbetje të vogla të substancave narkotike.
Personat e arrestuar nga Policia e Kosovës me vendim të Prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme.