Shoferi i një autobusi i linjës Korçë-Tiranë, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur me 36 pasagjerë brenda është vënë në pranga.
Policia bën me dije se pas marrjes së një telefonate në Sallën Operative se një shofer i linjës Korçë-Tiranë, po kryente manovra të rrezikshme në rrugë kanë ndaluar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, mjetin autobus, i cili transportonte 36 udhëtarë nga Korça në drejtim të Tiranës, me drejtues shtetasin A. M.
Pas kontrollit të dokumentacionit dhe kryerjes së testit të alkoolit drejtuesit të mjetit, ky shtetas rezultoi se drejtonte autobusin nën efektin e pijeve alkoolike në masën 0.75 mg/l.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga strukturat e lartpërmendura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.