“Do të ju hakmerrem”, qytetari që i kanosi policët në Mitrovicë dënohet me 2 mijë euro

Kronikë e zezë

“Do të ju hakmerrem”, qytetari që i kanosi policët në Mitrovicë dënohet me 2 mijë euro

Më: 7 shtator 2021 Në ora: 13:12
Policia

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të martën e ka dënuar me katër muaj burgim, të akuzuarin për kanosje e fyerje të policëve, A.T.

Por, ky dënim me burgim me pëlqimin e të akuzuarit do t’i zëvendësohet me gjobë në lartësi prej 2 mijë euro.

Gjykatësja Lidija Vuqeroviq deklaroi se i akuzuari T. gjithashtu është i obliguar të paguajë shpenzimet procedurale dhe atë 30 euro për paushallin gjyqësore dhe 30 euro në emër të fondit për viktimat e krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Vuqeroviq, ka thënë se palët kanë të drejtë në ankesë brenda afatit ligjor.

Aktakuza e ngritur më 23 gusht 2021, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ngarkon A.T se më 16 gusht të këtij viti, në rrugën “Driton Deliu” në Mitrovicë në mënyrë serioze i kishte kanosur me fjalë personat zyrtar në lidhje me punën e tyre dhe atë policët F.U, B.F dhe G.A

Siç thuhet në aktakuzë, në afërsi të diskotekës, pasi që e kishte ndalë automjetin e policisë në të cilën kishin qenë policët, të cilët kishin ardhur t’i ndihmojnë kolegët e tyre të cilët ishin në një intervenim në një diskotekë, pas një diskutimi të shkurtë me ta i kishte thënë atyre “shkoni q….. me koleget e juaja, se të gjithë ju policët jeni m….. i njëjtë”, “zgjidheni këtë ose unë do të dalë tani me kallashnikov edhe ju vras të gjithëve”, duke aluduar në personelin e diskotekës, e pasi kishte qenë e qartë se kishin qenë nën ndikimin e alkoolit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të frikës se ka mundur t’i shkaktojë diçka të keqe dikujt në diskotekë është arrestuar nga ana e policisë dhe gjatë rrugës për në stacionin policor tërë kohën në automjet i kishte fyer policët e lartcekur, duke i sharë dhe i kanosur seriozisht me fjalët “nuk do të ju lë me kaq, do të ju kthej, do të ju hakmerrem”, që tek të njëjtit kishte shkaktuar frikë me fjalët e tij i kishin përjetuar si kanosje serioze.

Më këtë, T. po akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja”, nga neni 181, par.3, lidhur me par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat