Shtatë persona kanë marrë lëndime si pasojë e një aksidenti të trafikut sonte në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.
Ajo tha se në aksident kishin qenë të përfshira dy automjete, ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
”Sot rreth orës 19:00, në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje. Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore kanë pësuar 7 persona, të cilët janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Ahmeti.
Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.