Liruan të dënuarin për vrasje, juristi i burgut u gjend nga policia, i rrahur në spital

Kronikë e zezë

Liruan të dënuarin për vrasje, juristi i burgut u gjend nga policia, i rrahur në spital

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 15:37
Ilustrim

Lirimi para kohe me kusht i të dënuarit për vrasje me 23 vite burgim, Lorenc Hajro, është kryer në mënyrë të qëllimshme nga kartelisti i burgut të Peqinit, Lulzim Kaziu dhe përgjegjësi i sektorit Ligjor të këtij burgu, Gani Shehu. Të dy së bashku këta zyrtarë kanë, ulur dënimin me 1 vit e 2 muaj dhe 2 ditë burgim, për Lorenc Hajron, me argumentin se ky i fundit është punësuar në biblotekën e burgut. 

Gjithçka ka qenë e programuar dhe përgatitur me dokumente të falsifikuara që të dënuarit, Lorenc Hajro, ti jepet një ulje relativisht e madhe, ndërsa realisht i takonin vetëm 52 ditë ulje për punën e bërë në biblotekën e burgut. Policia dhe prokuroria e Elbasanit, tashmë kanë ekzekutuar urdhër-ndalimet për dy zyrtarët, ku Gani Shehu, është arrestuar në ambientet e spitalit. Ky i fundit ishte shtruar në spital për të marrë mjekim, ndërsa policia dyshon se Shehu është dhunuar nga persona ende të paidentifikuar pasi dhe vetë Shehu nuk ka pranuar të japë shpjegime për dëmtimet e mara në kokë dhe në trup.

Pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore të juristit Gani Shehu, prokuroria e Elbasanit ka kërkuar në gjykatë caktimin e masës së arrestit në burg për Shehun dhe kolegun e tij, Lulzim Kaziu. Pritet që seanca gjyqësore të zhvillohet ditën e nesërme, ndërsa gjyqtarja Idush Maliqi, do vendosi nëse dy zyrtarët e burgut të Peqinit do mbyllen në burg apo do hetohen në gjendje të lirë. 

Sipas dosjes hetimore rezulton se nga data 11 dhjetor 2017 deri në datën 9 janar 2019 që përllogariten rreth 13 muaj, i dënuari po të kishte punuar çdo muaj gjatë kësaj periudhe e llogaritur me 4 ditë në muaj, do të kishte përfituar ulje dënimi nga punësimi 52 ditë dhe jo 1 vit 2 muaj e 2 ditë. Kjo përllogaritje e gabuar është pasqyruar në dinamikën e datës 9 janar 2019 e përpiluar nga IEVP Peqin dhe dërguar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Pra konstatohet qartë fakti se të njëjtët punonjës të IEVP Peqin, Lulzim Kaziu dhe Gani Shehu kanë paraqitur fakte dhe rrethana të rreme në dokumente zyrtare, me qellim favorizimn e të dënuarit për vrasje, duke i ulur dënimin në mënyre fiktive. 

Dinamika përllogaritet mbi bazën e dokumenteve faktike që gjenden në dosjen e të dënuarit në IEVP. Punonjësit në fjalë për të justifikuar uljen e dënimit më anë të punësimit në IEVP kanë administruar në dosje kartela pune te dyshuara si të falsifikuara, të cilat nuk rezultojnë të inventarizuara në fletën e inventarit të dosjes.

Dyshohet se kartelat e punësimit janë të falsifikuara dhe në dosjen personale të dënuarit janë futur në periudhën kohore 11 dhjetor 2017 deri në 9 janar 2019, dosje e cila ka qëndruar në IEVP Peqin. Nga momenti i pasqyrimit të dinamikës nga IEVP Peqin më datë 9 janar 2019, kjo dinamike e ka ndjekur të dënuarin deri në momentin e lirimit me kusht të tij, veprim i cili ka ndodhur në 23 korrik 2020. Si pasojë e uljeve fiktive të ditëve të punësimit në dinamikën e janarit 2019, i dënuari për vrasje, ka përfituar para kohe lirimin me kusht dhënë nga gjykata e rrethit gjyqësor Elbasan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat