Dënohet me 600 euro gjobë shtetasi i Shqipërisë, e pranoi se ia dha 10 euro ryshfet policit në Vërmicë

Kronikë e zezë

Dënohet me 600 euro gjobë shtetasi i Shqipërisë, e pranoi se ia dha 10 euro ryshfet policit në Vërmicë

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Shtetasi i Republikës së Shqipërisë, Q.H është dënuar më 600 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren, pasi në shqyrtimin e dytë e pranoi se zyrtarit policor në pikën kufitare në Vërmicë ia dha 10 euro ryshfet.

Në seancën e së mërkurës, ai deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën dhe se e pranon fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i tij, avokati Durim Nevzati e as nga prokurori Metush Biraj. Më pas, u aprovua nga gjykatësja Raima Elezi.

Sipas aktgjykimit të shpallur, H. fillimisht u dënua me 200 euro gjobë dhe me burgim, por më pas edhe ky dënim i fundit iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 400 euro. Kështu, ai u dënua në total me 600 euro gjobë.

Ai gjithashtu obligohet që t’i paguajë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Me aktgjykim, gjykatësja mori vendim edhe për konfiskimin e kartëmonedhës në vlerë 10 euro, si mjet i kryerjes së veprës penale.

Në fund, e njëjta i njoftoi palët se kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ndryshe, Q.H ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht 2021.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 gusht 2021, e ngarkon atë se më 6 gusht të këtij viti, në pikën kufitare në Vërmicë, i ofroi në mënyrë të drejtpërdrejtë zyrtarit policor të Kosovës pasaportën, në të cilën i kishte futur 10 euro, në mënyrë që ky i fundit të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur zyrtari policor e pyet të pandehurin se përse i kishte vendosur 10 euro në pasaportë, i pandehuri i është drejtuar me fjalët “Janë për ju, për të pirë një kafe”. Me këtë rast thuhet se i njëjti është ndaluar nga policia ku edhe i janë sekuestruar përkohësisht dokumentet e tij personale, si dhe kartëmonedha prej 10 eurove.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën “Dhënia e ryshfetit “ nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila është e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat