Në Spitalin e Pejës sot rreth 06:55 ka vdekur i burgosuri me inicialet S.L, viti i lindjes 1950.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se i burgosuri që nga pranimi tërë kohën ka qenë i hospitalizuar në Stacionarin e Burgut të Qendrës Korrektuese Dubravë, ku po trajtohej për sëmundje të shumta.
“I njëjti kohëve të fundit ka pasur komplikime si pasojë e metastazave tumorale të cilat janë shprehur me ascit (lëng në abdomen) dhe rertentio urinae, si dhe komplikime të tjera, të cilat i kanë vështirësuar funksionimin për të cilin është kujdesur stafi mjekësor i stacionarit, në vazhdimësi. Si pasojë e kësaj, dy javët e fundit ka qenë i shtrirë nën kujdesin e vazhdueshëm në Spitalin Rajonal të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore, i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së dhe Departamentit për Shëndetësinë në Burgje.
I njëjti ishte i dënuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.