Strukturat doganore në Durrës kanë sekuestruar 1950 kg medikamente mjekësore kontrabandë në Durrës me vlerë 119 mijë euro.
Strukturat e Administratës Doganore në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit, kanë konkretizuar me sukses goditjen e një skeme mashtrimi- kontrabandë, në importin e medikamenteve, të importuara në territorin doganor shqiptar si ndihma humanitare, në portin e Durrësit.
"Autoritetet doganore ushtruan kontroll në automjetin me targa AA249NN, nga ku rezultoi se krahas mallrave të deklaruara, ishte dhe një sasi ilaçesh prej 1950 kg ose 8793 kuti me medikamente të ndryshme, të cilat kapin vlerën prej 119 mijë euro."
Blutë bëjnë me dije se këto medikamente nuk dispononin dokumentacionin përkatës për importimin e tyre në territorin shqiptar, ndaj u sekuestruan.
"Vlera e detyrimeve doganore të shmangura për mallrat e përshkruara më sipër kap shumën 2.979,455 lekë, ndërsa penaliteti për vlerën e detyrimeve të shmangura është në shumën 8.938,365 lekë. Në total, shuma e detyrimeve doganore dhe penaliteteve të shmangura është 11.917,820 lekë."
Në prangat e policisë ranë shtetasit A.B dhe A.P. për veprën penale “Kontrabandë me mallra të licencuara.”
Materialet për rastin në fjalë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.