Policia e Kosovës, këtë të shtunë në orën 14:12, përkatësisht patrulla kufitare e SPMK Dragash dhe DPRK Perëndim në Gjakovë, kanë ndaluar një automjet në të cilin kanë gjetur një armë AK-47 dhe një karikator me 20 fishek të kalibrit 7.62mm.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kohës së patrullimit veturën e ngiste i dyshuari V.Y (2001) dhe i shoqëruar nga A.H (2000).
“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i krimeve të rënda dhe me urdhër të tij është bërë edhe bastisja e shtëpisë së të dyshuarit të parë. Gjatë bastisjes është gjetur edhe një elektroshok”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje, në këtë njoftim bëhet e ditur se arma dhe elektroshoku janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit të lëndës është liruar në procedurë të rregullt.