Shqetësuese: Raportohen 8 raste të dhunës në familje në Kosovë

Kronikë e zezë

Shqetësuese: Raportohen 8 raste të dhunës në familje në Kosovë

Më: 8 janar 2022 Në ora: 09:38
Ilustrim

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka njoftuar për 8 raste të dhunës në familje.

Media më herët ka raportuar se një grua nga Podujeva ka raportuar në Polici për shkak të dhunës fizike që burri ka ushtruar ndaj saj. Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar, mirëpo i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Poashtu në Gjakovë është raportuar se janë arrestuar tre meshkuj kosovarë, pasi njëri prej tyre kishte sulmuar vëllain e tij e më pas ka ndërhyrë edhe babai i tyre pasi i dyshuari kishte tentuar ta lëndojë veten me një thikë të kuzhinës.

Të dyshuarit i është dhënë ndihmë mjekësore pasi që i njëjti ishte përdorues i substancave narkotike. Me vendim të prokurorit njëri prej te dyshuarve është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregull.

Policia në raportin 24- orësh ka njoftuar se gjatë ditës së enjte në Prishtinë është arrestuar një burrë kosovar i cili kishte ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij rumune me të cilën bashkëjetonte.

Viktima ka pranuar kujdes mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rast tjetër për dhunë në familje është raportuar edhe në Graçanicë ku çifti, shtetas të Serbisë, janë përleshur fizikisht mes vete.

Si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore, atyre u është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Rast i dhunës është regjistruar edhe në Gjilan. Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar se një burrë në Gjilan dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Prizren është raportuar për dhunë në familje, me ç’rast Policia ka njoftuar se një burrë me të meta psiqike ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij, të cilës i ka shkaktuar edhe lëndime trupore.

Viktimës dhe të dyshuarit u është ofruar ndihma mjekësore. Me urdhër të prokurorit kujdestar dhe në konsultim me psikiatrin, i dyshuari dërgohet në klinikën e forenzikës psikiatrike.

Raste tjera të dhunës në familje janë regjistruar edhe në qytetin e Pejës.

Një grua ka njoftuar policinë se ish-bashkëshorti i saj e ka kërcënuar me mesazh dhe i ka shkuar në shtëpi.

I dyshuari këtë të premte është arrestuar nga Policia dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në rastin tjetër bëhet fjalë për një burrë nga Peja i cili kishte ushtruar dhunë psikike duke përdorur fjalë fyese ndaj bashkëshortes së tij. Viktima është dërguar në strehimore së bashku me një fëmijë të moshës dy vjeçare. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat