Gjykata e Apelit në Tiranë ka dënuar me burgim të përjetshëm Vladimir Kurtin dhe me 26 vite burg Ruzhdi Hodën të cilët akuzohen për vrasjen e shitësit të marketit Agim Buci në Kamëz në prill 2018.
Apeli ka konfirmuar vendimin e shkallës së parë të Gjykatës e Tiranës dhe ka caktuar burg për jetë për Vladimir Kurtin, i cili vrau pronarin e një marketi në sy të fëmijës 6 vjeç për t'i grabitur xhiron ditore në prill të vitit 2018.
Në përfundim të gjykimit të çështjes në shkallë të parë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin nr.1020, datë19.04.2019, ka vendosur:
•“Deklarimin fajtor të të pandehurit Vladimir Kurti për kryerjen e veprës penale të“Vjedhjes me pasojë vdekjen”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 141 e 25 të K.Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave e dënon atë me burgim të përjetshëm.
•Deklarimin fajtor të të pandehurit Vladimir Kurti për kryerjen e veprës penale të“Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon atë me 7 (shtatë) vjet burgim.
•Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Vladimir Kurti dënohet me burgim të përjetshëm.
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Vladimir Kurti fillon nga dita e ndalimit të tij në funksion të këtij procedimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Gjykata vendosi gjithashtu:
• Deklarimin fajtor të të pandehurit Rruzhdi Hoda për kryerjen e veprës penale të“Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”, të parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon atë me 4 (katër) vjet burgim.
•Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Rruzhdi Hoda dënohet 26 (njëzet e gjashtë) vjet burgim.
•Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Rruzhdi Hoda fillon nga dita e ndalimit të tij në funksion të këtij procedimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Si ndodhi ngjarja?
Gruaja e pronarit, 44 vjeçarja u përball me dy persona të maskuar dhe me kapele të veshur sportiv. Pasi i kërkuan paratë, gruaja u ka thënë se nuk kishte lekë, ndërsa mori një thikë e tentoi t'i godiste.
Në këtë moment autorët e qëlluan në këmbë me dy plumba pistolete ndërsa djali i saj 6 vjeç u ul poshtë tavolinës.
Pasi dëgjoi të shtënat dhe ulërimat e bashkëshortes, Agim Buci mbërriti menjëherë në dyqan e tij dhe tentoi t’i hiqte maskën njërit prej autorëve. Nga një distancë fare e shkurtër, ai u qëllua për vdekje në gjoks me pistoletë.
Provat materiale
- një aparat celular i markës “Samsung”, me ngjyrë gri e të bardhë, bashkë me kartën celulare me nr.0685300645, veshjet pantallona dhe një automjet i markës “Volkswagen” me targa AA269 KF me dokumentacionin shoqërues, të sekuestruara në fazën e hetimit, t’i kthehen familjarëve të të pandehurit Rruzhdi Hoda.
- veshjet pantallona te sekuestruara t’i kthehen familjarëve të të pandehurit Vladimir Kurti
- katër CD me pamje filmike dhe një DVR (digital Video Recorder ) të sekuestruara në fazën e hetimit, të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.
Shpenzimet procedurale hetimore dhe ato gjyqësore të parapaguara nga shteti lihen në ngarkim solidar të te pandehurve Vladimir Kurti dhe Rruzhdi Hoda.