Gjykata Themelore në Gjakovë, i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj një personi për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
“Sipas kërkesës, “me datën 21 shkurt 2022 në fshatin Drenoc Komuna e Rahovecit, i pandehuri A. B., seriozisht kanos të dëmtuarin B. G., në atë mënyrë që natën kritike rreth orës 02:10 min të mëngjesit, pasi e kishte thirre në telefon por që nuk kishte marrë përgjigje nga i dëmtuari, me automjetin e tij i shkon tek shtëpia ku pasi parkohet, ka dal nga vetura dhe ka gjuajtur në oborrin e të dëmtuarit një granat dore duke e thirre sërish në telefon, ashtu që me të dal i dëmtuari nga shtëpia, i njëjti e kanos me armën që e mbante në dorë”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ” Kanosja” në vazhdimësi dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rëndë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes, thuhet tutje.