(E plotësuar 14:39) - “Vrasje e rëndë” është cilësuar vrasja e nxënësit 14-vjeç R.H., sot në Vranjevc të Prishtinës. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se lidhur me rastin ende nuk ka të arrestuar.
Në një përgjigje zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Laureta Ulaj, tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së rastit.
“Si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka ndërruar jetë një të mitur (i moshës 14 vjeçare), ku vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion, derisa prokuroria në koordinim të plotë me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, tha Ulaj.
Tutje, ajo tha se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japin më shumë detaje.
“Për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështje, si dhe zhvillimit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”.
Zëdhënësja Ulaj shtoi se në vendin e ngjarjes ka dalë “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi, prokurorja kujdestare e Departamentit të Krimeve të Rënda dhe e Departamentit për të Mitur, bashkë me njësitë e tjera relevante”.
Media ka raportuar sot se R.H., 14-vjeç, u ther për vdekje në Vranjevc në një distancë jo të madhe nga shkolla “Hilmi Rakovica”, aty ku vijonte mësimet në klasën e 9-të. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, 14-vjeçari u ther me thikë disa herë teksa po shkonte në shkollë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci, është shprehur e tronditur për vrasjen e nxënësit.
“Kjo është një ditë e rëndë, një trishtim e dhembje e madhe që e ndjen secili prind, secili qytetar i Kosovës”, është shprehur Nagavci në profilin e saj në Facebook.
Nagavci u ka bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve dhe prindërve që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve.
“Si nënë, si mësimdhënëse, e si ministre, i lus të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, të jenë të kujdesshëm për sjelljet që mund të manifestojnë ata, t’i adresojnë problemet dhe vështirësitë që kanë dhe të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve tanë”.
Vdes 14 vjeçari në Prishtinë pas therjes me thikë, Policia jep detaje
R.H., 14-vjeç, u ther për vdekje në Vranjevc të Prishtinës në një distancë jo të madhe nga shkolla “Hilmi Rakovica”, aty ku vijonte mësimet në klasën e 9-të. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, 14-vjeçari u ther me thikë disa herë teksa po shkonte në shkollë.
Zyrtarisht nuk është konfirmuar arrestimi i ndonjë të dyshuari, por raportohet se një i mitur është shoqëruar për në stacionin policor.
Në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vranjevc kishin zbarkuar një numër i madh i zyrtarëve policorë, aty ku mjekët konstatuan vdekjen e viktimës.
Më pas në vendngjarje arriti edhe vetura e Mjekësisë Ligjore. Ndërsa një pjesë e komunikacionit aty qëndronte e bllokuar dhe shiheshin lëvizje të shtuara të qytetarëve për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.
***
Një 14 vjeçar ka humbur jetën sot në Prishtinë, pas lëndimeve që ka marrë nga therja me thikë.
Rasti ka ndodhur në lagjen “Kodra e Trimave”, rreth orës 07:30.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një rast vrasje, në rrugën ‘Fahri Fazliu’, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore.
Bazuar në të dhënat fillestare, personi i cili dyshohet se ka marrë lëndime të rënda nga një mjet i mprehët (thikë) dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e mjekësisë Familjare (QMF), ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, tha ajo.
Ahmeti theksoi se vdekjen e viktimës R.H. mashkull 14 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QMF, ndërsa hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.
Lajmi i fundit: Vrasje në Vranjevc, therret për vdekje një nxënës
Një vrasje ka ndodhur para pak minutash në Vranjevc të Prishtinës.
Merret vesh se një nxënës i shkollës “Hilmi Rakovica” është therrur për vdekje.
Policia dhe Mjekësia Ligjore janë në vendin e ngjarjes.
Detajet më të hollsishme priten në orët në vazhdim.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/01/auto_foto51646125999.jpg)