Një 24-vjeçar është rrëmbyer gjatë ditës së djeshme në lagjen “Tasligje” të Prishtinës, nga katër të rinj. Të dyshuarit, dy vajza nga 19 dhe 20-vjeçare dhe dy djem nga 20 dhe 21-vjeç e përgatitën në detaje planin për rrëmbimin e të riut, të cilit i parapriu një sulm me thikë.
Viktima (emër i njohur për redaksinë) fillimisht ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga dy të dyshuarat, të cilat kanë ndihmuar që i riu të rrëmbehet. Dy të rejat pasi kishin komunikuar me 24-vjeçarin, të njëjtin e kanë marrë me një veturë BMW, për ta “dorëzuar” më pas te një veturë tjetër.
Vajzat dyshohet se u ndihmuan në rrëmbimin e 24-vjeçarit, duke e dërguar të njëjtin në rrugën “Hil Mosi”, aty ku e prisnin dy të dyshuarit e tjerë, të cilët e futën në një veturë “Golf 7”, raporton Sinjali.
Rrëmbimit i parapriu një sulm me thikë ndaj viktimës, që dyshohet se u bë me “plan” që i njëjti të futet me forcë në veturën e të dyshuarve.
Sipas burimeve, Policia është njoftuar për rastin pak minuta pasi ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore është dërguar në lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, ku ka pasur edhe arrestime.Vetura e dyshuar BMW është lokalizuar dhe në të janë hasur dy të dyshuarat B.B dhe S.D., të cilat janë prangosur dhe më pas është bërë identifikimi edhe i dy të dyshuarve të tjerë A.H dhe L.G.
Vajzat e dyshuara pasi ranë në prangat e Policisë u dërguan në stacion policor për të dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin. Ndërsa, me urdhër të prokurorit janë zhvilluar edhe bastisje.
Burimet tutje kanë bërë të ditur se bastisje janë kryer në banesën e të dyshuarit A.H., ku as ai e as personi i rrëmbyer nuk janë gjetur në atë lokacion. Edhe i dyshuari tjetër L.G, nuk është hasur në shtëpinë e tij, pas kontrollit nga zyrtarët policorë.
Por ky i fundit, siç duket i ka rënë pishman që u iku Policisë dhe është paraqitur vet në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda është dërguar në mbajtje për 48 orë.