​Kërkohet paraburgim ndaj 27-vjeçarit i cili u gjet me narkotikë në afërsi të shkollës “Gjergj Fishta”

Kronikë e zezë

​Kërkohet paraburgim ndaj 27-vjeçarit i cili u gjet me narkotikë në afërsi të shkollës “Gjergj Fishta”

Më: 6 maj 2022 Në ora: 11:08
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të pandehurit B.G., 27-vjeç, në drejtim të veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “, nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personi i lartcekur, të enjten, fillimisht është arrestuar nga policia në afërsi të shkollës “Gjergj Fishta”, në Prishtinë, me ç’ rast të njëjtit i është gjetur një sasi e vogël substancë narkotike e llojit marihuanë, 2320 euro dhe një thikë.

Me kërkesë të Prokurorit të Shtetit dhe aprovim nga gjyqtari i procedurës paraprake, është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar: 48 qese të vogla me 39 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, një peshore digjitale, një armë AK47 me një karikator dhe 50 fishekë dhe një revole me një karikator dhe 8 fishekë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa ndaj kësaj çështje penale do ndërmerren veprimeve hetimore deri në epilogun përfundimtar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat