Një 21 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se në bashkëpunim grabiti paratë dhe sendet personale 11 emigrantëve që kishin hyrë ilegalisht nga Greqia në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
“21-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 22.05.2022, kanë marrë 11 emigrantë të paligjshëm në aksin rrugor Gjirokastër-Virua, me qëllim transportimin e tyre drejt Tiranës, kundrejt fitimit. Këta shtetas i kanë shoqëruar deri në afërsi të fshatit Mashkullorë, emigrantët, me automjetet e tyre, më pas i kanë nxjerrë nga automjetet dhe iu kanë vjedhur me dhunë, një shumë parash, 11 aparate celulare dhe sende të tjera personale që emigrantët e paligjshëm i kishin me vete” informoi sot policia.
Personi i arrestuar është identifikuar me inicialet A. O banues në Gjirokastër dhe akuzohet për veprat penale "Vjedhja me dhunë" dhe "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit", kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.