Murteza Lika, 60-vjeçari që u plagos mbrëmjen e sotme në Kombinat është qëlluar me armë zjarri nga një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Mësohet se efektivi i policisë me iniciale L. Gj. është shoqëruar nga kolegët e tij, ndërsa në momentin e ngjarjes ka qenë në gjendje të dehur.
Dyshohet se 60-vjeçari ka qenë i ulur në një kafene në anë të rrugës dhe më pas është parë nga banorët e zonës duke ecur zvarrë për shkak të plagës që ka marrë në këmbë.
Mbrëmjen e sotme një tjetër ngjarje e rëndë me protagonistë dy efektivë policie ndodhi në ambientet e Komisariatit nr. 3 në Tiranë.
Polici Ludian Zaimi qëlloi me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi me armën e shërbimit ndërkohë që ky i fundit ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra.
Njoftimi i policisë
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, i cili bën fjalë se në Kombinat është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi M. L., 60 vjeç, ju sqarojmë se:
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit, autori i kësaj ngjarje, shtetasi L. Gj., efektiv i FNSH-së, i cili gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur.
Grupi hetimor i krijuar nga Agjensia e Mbiikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.