Një 50 vjeçar është arrestuar në Librazhd pas finalizimit me sukses të operacionit "TARGET", nën akuzë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Th. K. 50 vjeç, banues në fshatin Babje, Librazhd.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke të pyllëzuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, u gjetën 61 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 14 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa të kultivuar në vazo plastike.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së 50-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 7.3 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Operacioni u finaliazua nga Komisariati i Policisë Librazhd, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Elbasan.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.