Syri i mavijosur e buza e ënjtur nga goditjet, janë dëshmia e keqtrajtimit të një 21-vjeçari nga Policia e Kosovës.
L.H. thotë se nuk ka vend në trup pa dhimbje e mavijosje nga goditjet që pretendon se i mori nga dy zyrtarë policorë, në stacionin e Policisë në Fushë Kosovë.
I riu, i cili kërkon të mbetet anonim, kishte incizuar me telefonin e tij gjithçka ndodhi gjatë rrugës drejt stacionit policor, deri te rrahja brutale brenda këtij stacioni.
E gjithë ngjarja, sipas 21-vjeçarit, nisi kur policët i kërkuan të largohet nga vendi ku e kishte parkuar veturën.
“Më kanë ndalë për kontroll. I kam dhënë dokumentet edhe m’kanë kërku që me shku në stacion policor. I kam thënë pse, më thanë që duhet me shku se ‘nuk e kena librin e shënimeve’”, thotë ai.
Nga debati që kishin te vetura dhe dënimi që i riu mori, ngjarja u zhvendos në stacionin e Policisë në Fushë Kosovë.
Aty, tregon L.H., filluan kërcënimet nga zyrtarët policorë.
“Jam sa 15 njësi speciale’, edhe e ka largu rripin që e mban pistoletën, edhe m’ka thënë a po don m’u rreh. I kam thanë që nuk kam ardhë m’u rreh, me marrë gjobën edhe me ec tutje”, shton ai.
Kërcënimi dëgjohet edhe në audio-incizimin që i riu e bëri me telefonin e tij.
Pas provokimeve me fjalë, zyrtarët policorë filluan të ushtrojnë dhunë mbi L.H.