Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njoftoi se është arrestuar shtetasi M.D. nga fshati Vitomiricë të Pejës, i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës.
Prokuroria deklaron se prangosja e tij është bërë për shkak të dyshimit të bazuar, se ka kryer veprën penale krim i luftës kundër popullsisë civile.
“Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 7 maj 1999 në regjionin e Pejës”, deklaron Prokuroria.
“Në atë ofensivë, dyshohet se u vranë nëntë (9) civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë (5) persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake, brenda afatit ligjor.