Policia e Kosovës (PK) njofton se një person është vetëdorëzuar dhe u dërgua në mbajtje, nën dyshimin se i njëjti ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një viktime.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 16:15, ku Stacioni Policor Prizren- Veri, është informuar se në fshatin Korishë, ka të shtëna me armë drejt një viktime.
Policia njofton se me të është marrë informatën, patrullat policore dhe hetuesit e Stacionit Policor Prizren-Veri kanë shkuar në vendngjarje.
Po ashtu, thuhet se më pas është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe mbledhja e provave si dhe dëshmive të nevojshme.
“Nga informata e para policia ka kuptuar se një i dyshuar nga fshati Korishë (25 vjeçar) pas një incidenti të çastit, ka shkuar në afërsi të një pompe të derivateve (pronë e familjes së viktimës) dhe ka shtënë një herë nga distanca në drejtim të viktimës. Nga e shtëna me armë nuk ka pas viktima e as të lënduar”, thuhet tutje.
Policia bën të ditur se ka identifikuar të dyshuarin dhe pas kontakteve ai është vetëdorëzuar bashkë me armën.