Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur të martën, në një familje në rrugën “Ali Ibra” të Gjakovës.
Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar një 37-vjeçare, e cila ka rrëfyer para hetuesve për dhunën që po ia shkakton bashkëshorti i saj 42-vjeçar I.S.
Ajo ka deklaruar se burri ka ushtruar dhunë, duke e keqtrajtuar fizikisht, me ç’rast i ka shkaktuar shqetësim dhe ka vendosur ta denoncojë. Por pavarësisht dhunës që ka përjetuar ajo ka refuzuar urdhrin mbrojtjes, e madje edhe tretmanin mjekësor.
Të njëjtat burime thonë se akoma s’është i njohur motivi i rastit, por që refuzimi i gruas viktimë mund të lidhet me frikën e saj pas raportimit të rastit.
Pas përfundimit të intervistimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve që çojnë në kapjen dhe ndalimin e të dyshuarit, i cili do të hetohet për veprën penale “dhunë në familje”.
Përkundër kërkimeve, i dyshuari ende nuk ka rënë në prangat e Policisë dhe po vazhdon të qëndrojë në arrati.