Në këtë objekt në ndërtim në Yrshek policia e Tiranës zbuloi këtë pasdite, 18 gusht një arsenal armësh.
Operacioni policor i koduar “Arsenali” sekuestroi arsenal armësh, municion luftarak, granata, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, 3 motomjete pa targa, një Jet ski, targa të ndryshme shqiptare dhe të huaja, 2 fenelina policie dhe 1 paruke.
Në pranga ra 62-vjeçari Kujtim Çaushi që i mbante në garazh, ndërsa në kërkim djali i tij Erlindi.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në Kodër-Mëzes, në një magazinë, një shtetas mbante armë zjarri të llojeve të ndryshme, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar "Arsenali”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:- K. Ç., 62 vjeç, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpëethyese dhe i municionit".Gjithashtu, u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi E. Ç., 35 vjeç" njoftoi policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në garazhin 62-vjeçarit, në Kodër-Mëzes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 automatik, 1 snajper me dylbi, 2 mitralozë, 2 silenciatorë, 2 granata hedhesë të lehta kundratank, 9 granata të tjera të llojeve të ndryshme, sasi e konsiderueshme municioni luftarak,3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, 3 motomjete pa targa, 1 mjet lundrues “Jet ski”, 4 palë targa automjetesh shqiptare dhe të huaja, 2 fenelina policie dhe 1 paruke.
Po punohet për kapjen e shtetasit E. Ç., si dhe për identifkimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.