Të premten rreth orës 19:00, nga hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës, është arrestuar një person për veprën shpërdorim i pasurisë së huaj.
Rasti është raportuar me datën 21 shtator, pasi që ankuesja ka vërejtur se i mungon një çantë me dokumente personale dhe para të gatshme 18 mijë euro, të cilën dyshonte se e kishte harruar në një taksi me të cilin kishte udhëtuar për në Fushë Kosovë.
Ka qenë puna e hetuesve policor ajo që ka rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar si dhe arrestimin e tij.
Pjesë e veprimeve policore ka qenë edhe kontrolli i vendbanimit të personit të dyshuar, ku në një depo të murosura janë gjetur dhe sekuestruar rreth 27 mijë euro.
Personi i dyshuar A.R. mashkull 25 vjeç, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që, konform procedurave palës së dëmtuar i është kthyer shuma e saj e parave.