Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Departamentin për Hetimin të Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës, ka ndaluar dy persona, I.L dhe M.T, njëri prej tyre avokat, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikim të dokumenteve”.
Të ndaluarit, sipas njoftimit të Prokurorisë, dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, pas një marrëveshje paraprake dhe me qëllim të përfitimit personal, në mënyrë të kundërligjshme e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar, përmes paraqitjes së fakteve të rreme.
“Të njëjtit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Edhe personi me inicialet I.L., dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka përpiluar certifikatën e gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.
“Prokuroria në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit në plotëni të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.