Policia e Kosovës njofton se në Botushë të Gjakovë është arrestuar një shtetas të Shqipërisë, të cilit në veturë i janë gjetur rreth 3 kilogramë substanca narkotike të llojit mariuhanë.
Policia ka njoftuar se Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Perëndimi – Gjakovë, të mërkurën rreth orës 18:20, përmes rrugëve operative ka pranuar informacione për lëvizje të dyshimta të një veture në fshatin Botushë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Lidhur me informacionin janë aktivizuar patrullat ku edhe kanë ndaluar automjetin VW Pasat me targa te huaja. Gjatë të automjetit nga zyrtarët policorë, në bagazhin e automjetit kanë vërejtur një çantë brenda së cilës kishte dy qese najloni të mbushura me substancë narkotike dyshohet të jetë e llojit marihuanë. Është arrestuar i dyshuari E.T., (1986) shtetas i Shqipërisë, janë sekuestruar automjeti dhe sasia e substancës në sasi tre kg e 100 gram”, thuhet në komunikatën për media.
Rasti është iniciuar “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa me urdhër të prokurorit të lëndës i dyshuari është ndaluar për 48 orë.