​Serbi kapet me 107 kilogramë marihuanë në Kosovë

Kronikë e zezë

​Serbi kapet me 107 kilogramë marihuanë në Kosovë

Më: 30 janar 2023 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën mbrëma ka sekuestruar 107 kilogramë substancë narkotikë të llojit marihuanë, të cilat i kishte hasur në një veturë me targa të huaja që e drejtonte një serb me inicialet M.P.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më datë 29.01.2023, në orën 22:40, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor, ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike”, thuhet në komunikatën për media.

Bëhet e ditur se në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.

“Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë. Po ashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë”, thuhet po aty.

Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë kurse rasti procedohet për veprime të mëtutjeshme, përderisa vazhdojnë veprimet hetimore nga drejtoria përkatëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat