Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur së fundmi në fshatin Sllovi të Lipjanit, Policia ka nisur hetimet.
Mësohet se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, pas një mosmarrëveshje mes tyre.
Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e tyre, ku i dyshuari 37-vjeçar, ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij, të cilën e bëri për spital, pasi nga goditjet i shkaktoi lëndime trupore. Për pasojë, viktima përfundoi në QKUK, ku mori trajtimin e duhur mjekësor.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici, para se të ndodhë diçka më e keqe. Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa në shtëpinë e tij u krye bastisje.
Policia ia gjeti të dyshuarit edhe një AK-47 me rreth 100 fishekë, që u sekuestruan si dëshmi në lidhje me rastin.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.