Shëngjin, vritet biznesmeni Ardian Nikulaj

Kronikë e zezë

Shëngjin, vritet biznesmeni Ardian Nikulaj

Më: 19 prill 2023 Në ora: 19:46
Biznesmeni Ardian Nikulaj

Biznesmeni Ardian Nikulaj, i cili ushtronte veprimtarinë e tij në fushën e hoteleri-turizmit, u vra të mërkurën në qytetin e Shëngjinit.

Nikulaj, i përfshirë dhe në politikë, si pjesë e Partisë SocialDemokrate dhe aktualisht anëtar i Këshillit Bashkiak, ndodhej në mjediset e brendshme të resorit në pronësi të tij “Coral Shëngjin”, në Shëngjin kur u qëllua.

Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, autori i vrasjes ishte i maskuar, me skafandër në kokë dhe një jelek fosforeshent në trup, kur ka qëlluar me pistoletë ndaj Nikulajt. Menjëherë më pas ai është larguar me një motoçikletë.

Policia njoftoi se vrasja e 50-vjeçarit Nikulaj është kryer në orën 13 e 30 minuta, për motive ende të paqarta.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 Ardian Nikulaj ka qenë kandidat për deputet i Partisë Social Demokrate.

Ndërsa aktualisht ai drejtonte degën vendore të kësaj partie për qarkun e Lezhës dhe ishte përfshire ne listat e kandidateve për zgjedhjet vendore që pritet të mbahen më 14 maj.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, përmes një postimi në facebook u shpreh se “një ngjarje e tillë është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë publikë në qytetin tonë”, ndërkohë që kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjes nga organet e rendit.

Ardian Nikulaj, ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetërore, përfshirë postin e drejtorit të ALUIZNI-t për Lezhën.

Sipas formularit të dekriminalizimit, dërguar në KQZ në vitin 2021, ai rezulton i dënuar me 4 muaj burg në vitin 2003 dhe me gjobë në vitin 2006. Në vitin 1998 ai ka qenë emigrant në Novara të Italisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat