Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar dje në Prishtinë, pasi një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’ ka ndalur për kontroll një veturë e cila po drejtohej 21-vjeçar.
Burimet e medias kanë bërë me dije se gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri me dy karikatorë, si dhe një cigare e cila dyshohet të jetë e mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.