Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin i cili u arratis nga stacioni i policisë në Shtime.
Siç njofton policia, me 4 maj 2023, rreth orës 22:50, policia kishte pranuar një informacion se në rrugën “Arben Hyseni” në Shtime ishte një rast i kanosjes.
Pas këtij informacioni, policia në Shtime kishin arrestuar dy persona të dyshuar për kanosje me armë: A.A (M/K) i moshës 61 vjeçar dhe B.A (M/K) i moshës 41, të cilët shkak i një mosmarrëveshje kishin kanosur personin J.V (M/K) i moshës 45 vjeçar.
Siç raporton policia, në vendin e ngjarjes ishte konfiskuar një armë zjarri automatike AK-47 dhe një armë tjetër të zjarrit (pistoletë) dhe sasi të municionit.
“Të dyshuarit, po atë natë ishin shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i dyshuari A.A pasi është intervistuar nga policët hetues është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari B.A, derisa ishte duke pritur të intervistohet, arratiset nga stacioni i policisë duke kërcyer nga dritarja”, thuhet në raport të policisë.
Policët hetues të stacionit në Shtime kanë arritur që sot, rreth orës 13:40 të arrestojnë të dyshuarin e arratisur B.A dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit dërgohet në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtjeme hetimore.